Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi 4,000 tatimpagues janë informuar në terren për ndryshimet e Paketës Fiskale 2019

Administrata Tatimore po i kushton vëmendje të veçantë informimit të tatimpaguesve për t’i njohur ata me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019. Për këtë qëllim, nga ana e punonjësve të Shërbimit të Tatimpaguesve po realizohen vizita informuese në mjediset e ushtrimit të aktivitetit.

Referuar të dhënave, deri tani janë informuar në terren mbi 4,000 tatimpagues.

Përveç informimit mbi ndryshimet kryesore në legjislacionin tatimor, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në të 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore po shpërndajnë edhe broshura e materiale informuese.

Paketa Fiskale 2019, ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administra, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.

Kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si : bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit etj.; reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inkurajon tatimpaguesit që të marrin pjesë edhe në takimet e dedikuara informuese me ekspertët e saj, sipas kalendarit të përcaktuar për çdo drejtori rajonale tatimore.

Tatimpaguesit për informacione shtesë apo paqartësi mund t’i drejtohen edhe  Qendrës së Thirrjeve në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02, si edhe shërbimit Live Chat në faqen www.tatime.gov.al.