Të gjithë tatimpaguesit dhe individët tashmë kanë mundësi të marrin shërbime në mjedise tërësisht të rikonstruktuara dhe bashkëkohore në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë.
Kjo zyrë e cila ofron shërbime dhe konsulencë për tatimpaguesit, në vazhdimësi ka treguar profesionalizëm në punën e saj, si dhe në krijimin e marrëdhënieve korrekte me ata.
Në mjediset moderne të Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve operojnë 14 sportele, një zyrë konsulence, këndi i informimit për Platformën e Bashkëqeverisjes, si dhe një sallë tërësisht e dedikuar për trajnimet e ndryshme qoftë të stafit apo edhe të tatimpaguesve.
Drejtoria e Shërbimit të Tatimpaguesve Tiranë gjithashtu ofron asistencë për çështje të ndryshme përmes 14 specialistëve të saj në terren, në mjediset e ushtrimit të aktivitetit ekonomik.
Për periudhën janar – dhjetor 2018 janë realizuar nga kjo zyrë 48,781 kontakte të drejtëpërdrejta me tatimpaguesit dhe individë, përmes së cilave është bërë e mundur marrja e shpejtë e shërbimeve, asistencë dhe informacion për të gjitha çështjet e ngritura.
Po gjatë vitit 2018 janë realizuar nga punonjësit e zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve 21, 296 vizita këshilluese, kryesisht për tatimpaguesit e vegjël të përfshirë në skemën e TVSH-së, për fushatën informuese në kuadër të sezonit turistikë, etj..
Aktualisht nga kjo drejtori po zbatohet edhe një fushatë e gjerë informimi për ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019. Janë duke u zhvilluar trajnime të dedikuara me stafin, ekonomistë, ekspertë kontabël, ndërsa tatimpaguesit po informohen edhe në mjediset e tyre të biznesit.
Një nga vlerat kryesore nga të cilat udhëhiqet Administrata Tatimore është edhe rritja e besimit të komunitetit të tatimpaguesve përmes ofrimit të shërbimeve cilësore e në mënyrë profesionale.