Drejtoria Rajonale Tatimore Shkodër zhvilloi një takim informues për prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019. Në të morën pjesë mbi 80 ekonomistë dhe ekspertë kontabël, që përfaqësojnë pjesën më të madhe të tatimpaguesve të këtij rajoni.
Ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë kryesisht me: Procedurat Tatimore, Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe Taksat Kombëtare u prezantuan në mënyrë të detajuar nga përfaqësues dhe eskpertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Përfaqësuesit e biznesit nga ana e tyre vlerësuan angazhimin e Administratës Tatimore për informimin dhe qasjen e saj profesionale.
Drejtuesit e DRT Shkodër garantuan që në çdo kohë tatimpaguesit mund të marrin informacion dhe asistencën e duhur për të kuptuar sa më mirë dhe në mënyrë korrekte ndryshimet ligjore.
Punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve do të informojnë tatimpaguesit edhe në vendet e ushtrimit të aktivitetit, si dhe do të shpërndajnë broshura e materiale informuese.