Drejtoritë Rajonale Tatimore kanë nisur një fushatë intensive informimi me tatimpaguesit dhe publikun për prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019.
Në të gjitha Zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesit në 14 DRT-të janë shpërndarë sete broshurash, që përmbajnë informacion të detajuar për personat juridikë, personat fizikë, fermerët, ambulantët dhe individët dhe ndryshimet përkatëse ligjore që prekin këto kategori.
Këto ndryshime janë afishuar edhe në ekranet e Zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesit, ndërsa nuk mungon ofrimi i asistencë edhe në sportele për tatimpaguesit apo individët e interesuar.
Duke filluar nga muaji shkurt, punonjësit e specializuar të Zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesve, do të bëjnë edhe informimin e tatimpaguesve në vendet e ushtrimit të aktiviteteve të tyre ekonomike.
Administrata Tatimore përmes kësaj fushate, synon jo vetëm informimin, por edhe rritjen e nivelit të përmbushjes, deklarimit, si dhe pagesën në mënyrë korrekte të detyrimeve tatimore.