Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi ndryshimet kryesore në ligjin “Për procedurat tatimore”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të informimit për Paketën Fiskale 2019, njofton të gjithë tatimpaguesit për ndryshimet kryesore në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që tashmë kanë hyrë në fuqi.

Më konkretisht:

  • Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.
  • Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore.
  • Administrata Tatimore ka të drejtë të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS.
  • Personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.
  • Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike.
  • Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.
  • Deklarim i pasaktë konsiderohet edhe rasti kur, si rezultat i një kontrolli tatimor, bëhet rivlerësim në ulje i tepricës kreditore të tatimpaguesit. Në këtë rast tatimpaguesi penalizohet me gjobë 20 % të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar.
  • Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, ai është përgjegjës dhe dënohet, si më poshtë vijon:

- 15% për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me  ndryshim pronësie;

 -5% të vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia.

  • Në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%.
  • Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet për bankat kur ato nuk bllokojnë llogaritë e tatimpaguesit sipas kërkesës së administratës tatimore, nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar.
  • Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vazhdimësi do të informojë tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, për ndryshimet e legjislacionit tatimor, të cilat kanë hyrë tashmë në fuqi.