Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi ndryshimet kryesore të akteve ligjore dhe nënligjore të bëra në vitin 2018

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dëshiron të sjellë në vëmendje të gjithë tatimpaguesve se gjatë vitit 2018, janë ndërmarrë një sërë ndryshimet ligjore, të cilat po i paraqesim në mënyrë të përmbledhur si më poshtë vijon:

TATIMI MBI TË ARDHURAT

Të ardhura e përjashtura

Janë përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat :

  • Të ardhurat e realizuara nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer tjetër apo një person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.
  • Rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.

Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme në rastin e shkëmbimit truall me sipërfaqe ndërtimi. Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme.

Në nenin 20 “Shpenzime të njohura”, është shfuqizuar pjesa e llogaritjes së tatim fitimit në rastin e shkëmbimit të truallit me sipërfaqe ndërtimi.

Neni 28 “Shkalla tatimore”. Shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % për:

  • personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi.
  • personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”,
  • subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”.

Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit:

  • U hoq detyrimi i personit fizik për të dorëzuar vendimin e organit përgjegjës.
  • Ndaj personit juridik aplikohet vetëm një penalitet prej 10.000 lekë për paraqitje me vonesë të vendimit të organit përgjegjës.

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

Aplikohet shkalla e reduktuar me 6% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjshtim të pijeve, për strukturat të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm’ sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si “agroturizëm””.

TAKSAT KOMBËTARE

  • Taksa e mjeteve të përdorura do të quhet "Taksa vjetore e mjeteve të përdorura".
  • U miratua shtojca e koeficentit të vjetërsisë së mjetit për llogaritjen e taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
  • "Automjet luksoz" konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet:
  1. të ketë cilindratë më të madhe se 3000cmose
  2. vlerën/cmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.
  • Masat shtërnguese për personat fizike ose juridike do të zbatohen sipas dispozitave ligjore të ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar.

TAKSAT VENDORE

U përjashtuan nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe investimet e subjekteve, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit.

AKTET NËNLIGJORE

Në 1 prill të 2018, hyri në fuqi kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, qe sipas prcaktimit ne Vendimin  Nr. 652, datë 10.11.2017, është qarkullimi prej 2,000,000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik.

Vendim nr. 212, datë 20.4.2018 për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, të ndryshuar”

U përcaktua kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar për:

  • Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individual.

Udhëzimi i përbashkët nr. 29, datë 30.7.2018 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si: 

  • Person juridik, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues vetëm të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
  • Person fizik tregtar, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.