Institucioni

Institucioni > Lajme >

DRT Durrës takim me FMN për ecurinë e përformancës

Drejtoria Tatimore Rajonale e Durrësit priti në një takim pune përfaqësues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të drejtuar nga z. Steve Vesperman, Këshilltar i Asistencës Teknike.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e FMN-së, patën mundësi të vizitonin mjediset e zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve, ku u njohën nga afër me mënyrën e informimit të tatimpaguesve të këtij rajoni, si dhe shërbimet që ofrohen. Misioni i FMN-së u njoh gjithashtu edhe në lidhje me informimin, trajnimin dhe asistencën që i është dhënë biznesit të vogël që u përfshi për herë të parë në skemën e TVSH-së. Vëmendje të veçantë iu kushtua edhe strategjisë së ndjekur për asistencën që iu është dhënë tatimpaguesve që operojnë në fushën e turizmit, gjatë sezonit veror.

Drejtoresha e DRT Durrës znj.Valbona Sako, gjatë fjalës së saj falënderoi përfaqësuesit e FMN-së për bashkëpunimin dhe ndihmën që po japin për rritjen profesionale të Administratës Tatimore.

Gjatë takimit z. Vesperman, vlerësoi punën e bërë nga DRT Durrës për rritjen e performancës, si dhe përpjekjet që po bëhen për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe në kohë sa më të shkurtër për tatimpaguesit.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Tiranë deri në datë 3 dhjetor 2018.