Të gjithë tatimpaguesit e Drejtorisë Rajonale Tatimore Kukës tashmë kanë mundësi të marrin shërbime në mjedise tërësisht të rikonstrutuara dhe bashkëkohore në zyrën e Shërbimit të Tatimpaguesve.
Pikërisht për punën e bërë në modernizimin e këtyre mjediseve, të denja për të pritur tatimpaguesit, DRT Kukës është përzgjedhur si "Drejtoria e muajit".
Kjo drejtori e cila administron 1,962 biznese, në vazhdimësi ka treguar profesionalizëm në punën e saj, si dhe në krijimin e marrëdhënieve korrekte me tatimpaguesit.
Referuar të dhënave të DRT Kukës, vetëm për periudhën janar – tetor 2018 janë realizuar përmes të gjitha rrugëve të komunikimit direkte dhe elektronike 10,710 kontakte me tatimpaguesit dhe individë. Përmes platformave online të komunikimit është bërë e mundur marrja e shpejtë e informacionit për të gjitha çështjet e ngritura, duke reduktuar në këtë mënyrë kontaktet e drejtëpërdrejta me administratën tatimore.
Gjithashtu, në kuadër të fushatës së informimit për përfshirjen në skemën e TVSH-së të biznesit të vogël, referuar të dhënave të DRT Kukës, vetëm në Këndin e Asistencës u informuan mbi procedurat 20 subjekte, ndërsa u asistuan në terren rreth 100 tatimpagues të vegjël.
Një nga vlerat kryesore nga të cilat udhëhiqet Administrata Tatimore është edhe rritja e besimit të komunitetit të tatimpaguesve përmes ofrimit të shërbimeve cilësore e në mënyrë profesionale.