Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi disa ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjellë në vëmendje të tatimpaguesve, se janë bërë ndryshime në ligjin nr.39/2018, datë 09.07.2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, (të botuara në Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018).

Një ndryshim mjaft i rëndësishëm i reflektuar në nenin 33/1 “Dorëzimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është edhe heqja e detyrimit të subjektit “Person Fizik”, për të dorëzuar vendim për shpërndarje dividenti, pavarësisht përgjegjësisë tatimore, duke qenë se Personi Fizik, sipas konceptit të ligjit tregtar nuk ka personalitet juridik dhe është përgjegjës me të gjitha pasuritë e tij.

Në mënyrë të përmbledhur ndryshimet konsistojnë në dy momente:

  • Personat fizikë nuk duhet të depozitojnë në organet tatimore vendimin e destinimit të fitimit.
  • Personi juridik, i cili dorëzon me vonesë në organin tatimor vendimin e destinimit të fitimit, penalizohet vetëm me një gjobë prej 10,000 lekë dhe jo më sikundër ka qenë me gjobë 10,000 lekë për çdo muaj vonesë .

Këto rregullime vijnë si nevojë për reflektim e ndryshimeve të bëra në Udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar i cili në pikën 2.3.9 ka përcaktuar se : “Të ardhurat e personit fizik tregtar nga ushtrimi i aktivitetit tregtar tatohen vetëm sipas kreut III “Tatimi mbi fitimin” (nenet 16-32 të ligjit) në rastin e subjekteve me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit dhe sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, për subjektet me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit. Personi fizik tregtar nuk ka personalitet juridik të ndryshëm nga individi (i regjistruar si tregtar), ndryshe nga rasti i shoqërive tregtare dhe ortakëve të saj individë dhe rrjedhimisht fitimi neto i personit fizik tregtar nuk konsiderohet si e ardhur personale e tatueshme e individit, subjekt i pikës “g” të nenit 8 të ligjit””

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e angazhuar në informimin e saktë dhe në kohë të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen korrekte të detyrimeve tatimore.