Duke marrë shkas nga filmimet e bëra publike nga emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel, si dhe investigimi i strukturave Antikorrupsion pranë DPT, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vendosi largimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve, të përfshirë në këtë akt të shëmtuar korruptiv.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjen rastin të falënderojë median dhe, në veçanti për këtë rast, emisionin investigativ “Fiks Fare”, por edhe sipërmarrësit për kontributin që po japin në luftën kundër korrupsionit, të evidentuar në rradhët e Administratës Tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, garanton të gjitha mediat, bizneset dhe qytetarët që lufta kundër rasteve korruptive apo abuzimeve ndaj biznesit do të vazhdojë pa ndërprerje dhe pa asnjë kompromis nga ana e struturave të posaçme të Administratës Tatimore, si dhe i fton ata që të jenë krah saj, për të denoncuar çdo rast të tillë përmes kanaleve të komunikimit.
Në dispozicion të bizneseve dhe qytetarëve, për të denoncuar aktet korruptive, sjelljen jo etike dhe çdo akt të paligjshëm, gjatë ushtrimit të detyrës së punonjësve të Administratës Tatimore është vendosur numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, adresa elektronike denoncime@tatime.gov.al, si dhe mund të dërgohen mesazhe, foto apo filmime në numrin 069 70 73 733.