Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Tiranë dhe Prokurorinë e Rrethit Tiranë, pas një hetimi disa mujor ka bërë të mundur ndalimin e shtetasve Gëzim Çela, Flamur Zoto, Ylber Molla, Xhemal Kushova, si dhe ka shpallur në kërkim katër shtetas me iniciale XH.Ç, E.A, M.A, E.Z.
Shtetasi Xhemal Kushova rezulton administrator dhe aksioner me 100% i shoqërisë “XH&XH 2015“ me Nipt L51727007A. Shtetasi Gëzim Çela rezulton administrator dhe aksioner me 100% i shoqërisë “IMPEKS&ALB “ me Nipt L31722007T. Shtetasi Flamur Zoto rezulton administrator dhe aksioner me 100% i shoqërisë “TONI-AL“ me Nipt L51313017R. Shtetasi Ylber Molla rezulton administrator dhe aksioner me 100% i shoqërisë “Mar Ar - 2014 “ me Nipt L41805020L.
Shoqëritë e sipërpërmendura kryenin blerje brenda vendit dhe importe në vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive dhe në vlera më të ulëta duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Produktet e blera nga këto shoqëri i faturoheshin shoqërive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të shoqërive nën administrimin e shtetasve të sipërpërmendur. Në përfundim të punës hetimore dhe proceduriale, grupi i hetimit sekuestroi provat materiale si blloqe TVSH-je, fatura TVSH-je, mandate etj.
Sipas të dhënave paraprake dëmi ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit rezulton në shumën 350,000,000 lekë.
Këto subjekte në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe me subjekte të tjera kanë konsumuar elementë të veprave penale “ Skemë mashtrimi në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehje të ardhurash” dhe ‘’Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’’ të parashikuara në Nenet 180, 181, 144/a dhe 190/2 të kodit penal. Grupi hetimor po vazhdon procedurat hetimore në lidhje me shoqëri të tjera, të cilat kanë kryer shit/blerje me shoqëritë në fjalë.