Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi disa ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton tatimpaguesit se  në Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018, u publikua ligji nr.39/2018, datë 09.07.2018 – Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar.

Dispozitat ligjore të ndryshuara, si nevojë e zhvillimit të tregut, kanë saktësuar disa çështje, të cilat në mënyrë të përmbledhur po i trajtojmë si më poshtë:

 

  • Në nenin 8/1, në të cilin janë përcaktuar kategoritë e të ardhurave personale të përjashtuara nga tatimi. Në pikën 11 është saktësuar trajtimi i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, për rastet kur origjina e pronës është fitimi sipas ligjit nr.7501. Sipas këtij parashikimi, përjashtohen gjithashtu, rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.”
  • Në nenin 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”, është saktësuar koncepti truall dhe tokë bujqësore. Gjithashtu në këtë nen është parashikuar që shkëmbimi i trualllit me sipërfaqe ndërtimi, bazuar në një kontratë shkëmbimi nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluatjshme.
  • Në vijim të saktësimeve të mësipërme, në nenin 20 janë shfuqizuar paragrafët 3 dhe 4, të cilët trajtonin shpenzimet e njohura në veprimtarinë e ndërtimit, në lidhje me kontratat e shkëmbimit.
  • Në nenin 28, janë bërë diferencime të shkallës së Tatimit mbi Fitimin për disa kategori: (Këto ndryshime hyjnë në fuqi 1 Janar 2019)

    - 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit;

    - 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit;

    -  5% për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”;

    - 5 % për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. (Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i çertifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi".) 

 

  • Një ndryshim mjaft i rëndësishëm i reflektuar në nenin 33/1 “Dorëzimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është edhe heqja e detyrimit të subjektit “person fizik”, për të dorëzuar vendim për shpërndarje dividenti, pavarësisht përgjegjësisë tatimore, duke qenë se personi fizik, sipas konceptit të ligjit tregtar nuk ka personalitet juridik dhe është përgjegjës me të gjitha pasuritë e tij.

Së fundimi, në dispozitat kalimtare si nevojë e harmonizimit të parashikimeve të ligjit nr.155/2015 “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar është saktësuar shkalla tatimore mbi lojrat e fatit, e cila është 15 % mbi të ardhurat bruto, të cilat nga ana e tyre nënkuptojnë diferencën e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Këto ndryshime hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.