Drejtoria e Riskut, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është fokusuar së fundmi në analizën e nivelit të deklarimit të pagave të punonjësve, duke i krahasuar me pagat reale të tregut të punës.
Në analizë janë marrë profesionet që ofrojnë shërbime në fushën e turizmit, si dhe në atë të Teknologjisë së Informacionit. Është konstatuar se punëdhënësit, shpesh deklarojnë paga, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut apo janë afër pragut të pagës minimale të përcaktuar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. AT do të ndërmarrë të gjitha veprimet që ia lejon ligji, vlerësim tatimor dhe ku është rasti edhe kallzim në organin e akuzës për tatimpaguesit që me qëllim i shmangen ligjit.
Fillimisht DPT, nxit tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si dhe të reflektojnë në deklarimin real të pagave të punonjësve të tyre, si dhe inkurajon çdo punëmarrës të denoncojë këtë fenomen pranë DPT.
Administrata Tatimore do të vazhdojë të monitorojë këtë fenomen dhe për çdo parregullsi apo mosveprim korrigjues, do të vijojë me marrjen e masave që parashikon legjislacioni në fuqi.