Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije tatimpaguesit se në Fletoren Zyrtare nr. 111, janë publikuar ndryshimet, në ligji nr. 40/2018 datë 9.7.2018, për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ndryshimet ligjore, që pritet të hyjnë në fuqi në datë 1 Janar 2019 synojnë incentivimin dhe zhvillimin e veprimtarive pritëse të certifikuara si “agroturizëm”.
Më konkretisht nenit 49, i shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
“Për strukturat, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, aplikohet shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6% për furnizimin e shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjashtim të pijeve. Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6%, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si ‘agroturizëm’”.
Këto ndryshime, vijnë në vazhdën e lehtësive fiskale që po ndërmerr qeveria shqiptare, për tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, por edhe për t’i dhënë më shumë frymëmarrje, një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, siç është turizmi.