Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT i bën thirrje individëve të paregjistruar që japin mjedise me qira, të deklarojnë dhe të paguajnë Tatimin mbi Burim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton personat e paregjistruar në lidhje me detyrimin për të deklaruar dhe paguar tatimin mbi të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e shtëpive apo apartamenteve.

Gjatë sezonit turistik, Administrata Tatimore i ka kushtuar vëmendje të veçantë, garantimit të përmbushjes vullnetare të këtij detyrimi nga ana e individëve, të cilët shfrytëzojnë këto mjedise për pushimet verore. AT, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, do të shfrytëzojë çdo burim informacioni për të identifikuar këto transaksione.

Individi, përfitues i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht, sipas hapave të mëposhtëm:

 

  • Hyni në faqen zyrare: www.tatime.gov.al
  • Në menynë “e-Shërbime” zgjidhet rubrika “Individët”, në të cilën klikohet për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektronik. 
  • Hapni dritaren e aksesimit në llogari, ku si emër përdoruesi vendoset numri personal (sipas Kartës së Identitetit dhe jepet fjalëkalimi përkatës). 
  • Për të aksesuar llogarinë, duhet të zgjidhet: “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”. 
  • Me hyrjen në llogari, në menynë “Deklarata” zgjidhet “Tatimi në Burim”. 
  • Tek rubrika “Deklarata të padorëzuara” listohen deklaratat, që duhet të plotësohen. 
  • Zgjidhet periudha për të cilën do të kryhet deklarimi.

 

Individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qiratë” të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qiratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15%.

Duke klikuar butonin “Dorëzo”, deklarimi përfundon dhe dorëzohet në Administratën Tatimore.

Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për efekt dokumenti, duke klikuar butonin “Printo”.

Për kryerjen e pagesës, individi, përfitues i të ardhurave, në menynë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagesë”. Ky urdhër i printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave të nivelit të dytë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u kujton tatimpaguesve se përmbushja vullnetare e detyrimeve, përveçse është një detyrim ligjor, vlerësohet edhe si një akt qytetarie për forcimin e shtetit ligjor.