Institucioni

Institucioni > Lajme >

Strukturat e Zbatimit, pranë DPT- së kanë konstatuar 225 subjekte me shkelje me vlerë rreth 8.4 milionë lekë

Strukturat e Zbatimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë intensifikuar kontrollet në subjektet turistike që kryejnë aktivitet ekonomik në Vlorë, Radhimë, Orikum, Llogara, Drimadhes, Jalë dhe Palasë.

Nga kjo strukturë, nga data 22 qershor janë kryer në total 494 kontrolle, nga të cilat 225 kanë rezultuar shkelje tatimore me vlerë rreth 8.4 milionë lekë. Dhe më konkretisht: 

- 15 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore me aktivitet hoteleri, bare-restorante etj. Nga këto janë riregjistruar pranë organeve tatimore 6 subjekte.

- 2 subjekte janë referuar për ndjekje penale pas prishjes së shenjave dalluese

- 15  subjekte rezultuan me mospajisje me kasë fiskale dhe 10 subjekte për mosmbajtje kase në gjendje pune.

- 79 subjekte rezultuan me “moslëshim kuponi tatimor” (herë e parë)

- 6 subjekte rezultuan me “moslëshim kuponi tatimor” (herë e dytë). Për këta tatimpagues u mor masa e bllokimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike.

- 35 subjekte rezultuan me punonjës të padeklaruar

- 41 subjekte rezultuan me mallra të pashoqëruara me dokumentacion tatimor (fatura).

- 7 subjekte rezultuan me shitje pa faturë tatimore

Si rezultat i penaliteteve për përdorimin e pajisjeve fiskale, për subjektet e kontrolluara ka rezultuar rritje xhiros me 42% dhe numri i kuponave me 47%, kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu për subjektet e  kontrolluara nga strukturat e Zbatimit pranë DPT-së, rezulton se ka shtim të numrit të punonjësve me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë . 

Qëllimi kryesor i këtyre kontrolleve është edukimimi, informimi dhe ndërgjegjësimi për përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, si dhe nxitja për të realizuar në kohë pagesat.

Administrata Tatimore është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.