Drejtoresha e Përgjitshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero në një dalje për mediat, përcolli mesazhe të rëndësishme në lidhje me afatet e deklarimeve që duhet të respektojë biznesi i vogël, i cili është përfshirë për herë të parë në skemën e TVSH-së që prej datës 1 prill 2018.
Të gjithë tatimpagesit e vegjël, që janë përfshirë në këtë skemë, kanë sot afatin e fundit për të plotësuar dhe dorëzuar librat e shitjes dhe blerjes. Ky është një detyrim që nuk mbart asnjë penalitet, por që duhet të përmbushet nga ana e tatimpaguesve sepse këto të dhëna përbëjnë edhe bazën për plotësimin e mëtjeshëm të deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Vjero, tha se sipas të dhënave që disponohen deri tani, janë më shumë se 11,700 tatimpagues të cilët kanë detyrimin për të plotësuar deklaratën e thjeshtuar të TVSH-së. Kjo deklaratë, gjenerohet drejtëpërdrejtë nga sistemi dhe është një lehtësi që e gjithë infrastruktura e DPT-së e ka krijuar për tatimpaguesit e vegjël.
Znj. Vjero tha se nga rreth 11,700 deklarata që janë gjeneruar automatikisht nga sistemi, rreth 60% e tyre janë tashmë të plotësuara nga tatimpaguesit që i përkasin fashës 2 deri në 5 milionë lekë. “ Kemi të bëjmë me një shifër tejet pozitive dhe ka ende edhe pak kohë për të përmbushur këtë detyrim. Më lejoni të sqaroj se duke qenë se data 14 korrik që afati zyrtar për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës së thjeshtuar, është ditë e shtunë, afati shtyhet deri ditën e hënë datë 16 korrik”, tha znj. Vjero.
Për administratën tatimore, numri i deklaratave të gjeneruara deri tani ( 11,700) ka qenë mbi pritshmëritë ( 9,900) dhe kjo tregon për punën e mirë dhe fushatën efikase të informimit dhe ndërgjegjësimit që është bërë për këtë kategori biznesi.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, sqaroi gjithashtu se ata tatimpagues që nuk do të përmbushin afatet e plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së do të përfshihen automatikisht me përgjegjësinë e TVSH-së. Tatimpaguesit e vegjël duhet të mbajnë në konsideratë faktin se për mosdorëzim të deklaratës brenda afatit ka edhe një penalitet prej 5,000 lekësh.
“Ndërsa, dëshiroj të qartësoj të gjithë tatimpaguesit se nuk do të ketë penalitete për plotësim me gabime të deklaratës së thjeshtuar. Tatimpaguesit ftohen që të shfrytëzojnë të gjithë infrastrukturën e nevojshme të administratës, që prej muajsh është në dispozicion të kesaj kategorie për të përmbushur këtë detyrim me korrektësi. Sipas të dhënave, deri tani janë vetëm 50 deklarata për të cilat janë konstatuar gabime, një shifër kjo pothujase e pandjeshme. Të gjithë subjektet që kanë pasur gabime janë këshilluar dhe asistuar për të bërë korrigjimet e nevojshme. Administrata Tatimore është plotësisht e angazhuar për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe ka të gjithë kapacitetet për ta menaxhuar në mënyrën sa më efikase”, tha znj. Vjero.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tha znj. Vjero, ju bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur në dispozicion, pra deri në datë 16 korrik për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e thjeshtuar të TVSH-së.
Për çdo nevojë apo paqartësi, tatimpaguesit mund të shfrytëzojnë të gjithë infrastrukturën e vënë në dispozicion, si shërbimin Live Chat përmes faqes zyratre www.tatime.gov.al, Qendrën e Thirrjeve, në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02.
Gjithashtu janë 13 Këndet e Asistencës që janë efektive në të gjitha Drejtoritë Rajonale tatimore në vend. Përmes këtyre këndeve, punonjësit e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, që nga fillimi i muajit korrik kanë asistuar rreth 900 subjekte, me qëllim përmbushjen me korrektësi të detyrimeve, siç është plotësimi dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes, dhe deklaratën e thjeshtuar e TVSH-së.