Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi të hënën mbledhjen e tij të radhës të drejtuar nga Ministri i Finacave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, me pjesëmarrjen e veçantë të Zv/Presidentit të BERZH për Sektorin Bankar, z. Alain Pilloux dhe Drejtoreshës së sapo emëruar të BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, znj. Zsuzsanna Hargitai.
Në rendin e ditës për këtë mbledhje ishte “Kuadrin Ligjor Për Investimet, Debatet dhe Sfidat” me qëllim për të diskutuar sa motivues dhe “lehtësisht i zbatueshëm” është kuadri ligjor aktual për investimet, si edhe për të lehtësuar proçesin e përgatitjes së një kuadri ligjor më të thjeshtuar, i aftë për të mbajtur investimet apo për të nxitur investimet e reja. Tema e diskutimit zhvillohej edhe në kontekstin e proçeseve integruese të vendit në BE dhe atyre në nivel rajonal në kuadër të Reformës për Zonën Ekonomike Rajonale (REA). Një komponent i REA është edhe Axhenda Rajonale për Investimet (RIRA), e cila synon midis të tjerave edhe një harmonizim të kuadrit ligjor dhe rregullator të investimeve në vend me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kryetari i KI, Ministri Arben Ahmetaj, nënvizoi rëndësinë e kuadrit ligjor të investimeve përsa i takon garancive, transparencës dhe parashikueshmërisë për investitorët. “Ne duhet të identifikojmë së bashku të gjithë elementët e kuadrit ligjor aktual dhe të bëjmë ndryshimet përkatëse nëse duhet, që i paraprijnë qëllimeve ambicioze të qeverisë sonë për rritjen ekononike,” nënvizoi Ministri Ahmetaj.
Zv/Presidenti i BERZH, z. Alain Pilloux konfirmoi mbështetjen e BERZH për Shqipërinë. Ai përgëzoi KI për punën e bërë deri më sot, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e BERZH-it për këtë iniciativë. Z. Pilloux inkurajoi qeverinë që të vazhdojë të përmirësojë klimën e biznesit, si një faktor shumë të rëndësishëm për investimet dhe kërkoi që të vihet fokusi në zbatimin e reformave, sidomos atyre që kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme siç p.sh. të drejtat e pronësisë, informaliteti, kapacitetet e administratës publike etj.
Në vijim, z. Pilloux njoftoi se BERZH do të vazhdojë të mbështesë rritjen e sektorit privat në ekonominë shqiptare, kryesisht përmes bankave nëpërmjet instrumentit të ndarjes së riskut, për t’i inkurajuar ato që të marrin më shumë risqe në operacionet e tyre të huadhënies, duke synuar rritjen e sa më shumë të jetë e mundur të kreditimit në LEK. Gjithashtu, BERZH po harton në bashkëpunim me BE një program inovator, i bashkëfinacuar nga BERZH dhe BE, me një total prej rreth 100 milionë euro, për të nxitur konkurrencën në sektorin e turizmit.
Drejtoresha e Sekretariatit të KI-së, znj. Diana Leka, bëri një prezantim mbi elementët kryesorë të klimës së investimeve që lidhen me aspektet ligjore, institucionet dhe administratën dhe politikat ekonomike. Prezantimi iu referua edhe punës së mëparshme të KI që prej prill 2016, me analizën krahasuese të Sekretariatit mbi incentivat për nxitjen e investimeve në Shqipëri dhe vendet e rajonit. “Objektivi kryesor i kuadrit të ri ligjor duhet të jetë krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve me vlerë të lartë të shtuar në zinxhirin e ekonomisë që do të japin efekte pozitive afatgjata në ekonomi. Rekuperimi i fundit i rritjes ekonomike ishte gjithashtu i nxitur nga investimet dhe harmonizimi i kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare mund të sjellë një shtysë të re për investimet në vend,” tha zonja Leka.
Në prezantim ishin përfshirë edhe shumë elemente të diskutuara gjithashtu në takimin konsultues me komunitetin e biznesit të zhvilluar më 23 Maj 2018, ku ishin të pranishëm më shumë se 60 pjesëmarrës. Ky takim u organizua nga Sekretariati i KI në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC). Diskutimet kryesore në këtë takim, u fokusuan nëse ligji i ri i investimeve do të jetë një ligj kuadër apo ligj i detajuar, në çështjet e sigurisë ligjore që duhet të ofrojë, qëllimin dhe objektivat e kuadrit ligjor, mekanizmat për zgjidhjen e ankesave të investitorëve “grievance mechanism”, harmonizimin me Marrëveshjet Ndërkombëtare të Investimeve (BITs), rëndësinë e harmonizimit të tij me ligjet sektoriale, rendësinë e parimit të trajtimit të drejtë dhe pa diskriminim ndërmjet investitorëve vendas dhe atyre të huaj, garancisë që duhet të mbartin dokumentet e lëshuara nga institucionet shtetërore, çështjet e pronësisë etj. Të gjitha këto komente janë pjesë e Përmbledhjes së Sekretariatit, e cila përfshin edhe një prezantim të IFC-së mbi “Harmonizimin e Kuadrit Ligjor të Investimeve në Shqipëri me Praktikat e Mira Ndërkombëtare” si edhe një analizë krahasuese të përgatitur nga Sekretariati mbi Modelet e Mekanizmit për Zgjidhjen e Ankesave të Investitorëve “Grievance Mechanism” në 6 vende.
Anëtarët e KI nga komuniteti i biznesit nënvizuan disa aspekte të cilat mund të përmirësojnë më tej klimën e investimeve siç është trajtimi i drejtë dhe i barabartë i investitorëve vendas dhe atyre të huaj; përdorimi i drejtë i taksës së infrastrukturës në dobi si të investitorëve ashtu edhe të bashkive; përgjegjësisë së plotë që duhet të kenë institucionet për dokumentet e lëshuara prej tyre; modeli i aplikimit të taksave indirekte për industri të veçanta në përputhje me standardet e BE; harmonizimit dhe koordinimit institucional etj.
Në përfundim, Kryetari i KI konfirmoi se garancia e dokumenteve të lëshuara nga institucionet shtetërore është një element që meriton të merret parasysh në ligjin e ri, ndërsa debati vazhdon nëse ky do të jetë një ligj kuadër ose një ligj i detajuar. Ndërsa, në lidhje me destinacionin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, Ministri Ahmetaj ndau mendimin se kjo çështje meritonte të ishte në vijim objekt diskutimi nga Qeveria.
Në mbyllje të takimit, kryetari i KI-së kërkoi nga përfaqësuesit e biznesit që të dërgojnë tek Sekretariati komentet mbi kuadrin ligjor aktual, duke konfirmuar që projekt ligji do të ndahet dhe konsultohet në kohën e duhur me komunitetin e biznesit përmes KI-së.