Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mori pjesë në takimin vjetor të radhës për "Forcimin e qeverisjes ekonomike dhe menaxhimi i financave publike në Europën Juglindore”, që u zhvillua në Lubjanë të Sllovenisë në datë 5 qershor.
Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues nga vendet e Europës Juglindore, u diskutua mbi programin e zhvillimit të kapaciteteve, që është duke u zbatuar aktualisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Pala shqiptare u përfaqësua nga zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Erjon Luçi, si dhe Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në DPT, znj. Iris Ago. Ata ndanë me pjesëmarrësit përvojën e Shqipërisë në arritjet dhe sfidat e Administratës Tatimore dhe MFE-së, reformat e ndërmarra, planet e punës, si dhe prioritet afatmesme.
Gjatë fjalës së saj, znj. Ago theksoi progresin që ka bërë Administrata Tatimore për modernizimin e sistemit të teknologjisë së informacionit, si dhe modulin e riskut, bazuar këto te prioritetet e vendosura në bashkëpunim edhe me FMN-në.
Nga ana e saj, drejtuesja e Njësisë Përgjegjëse, pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Negocimin e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, në Komisionin Europian, znj. Barbara Banki Gardinal vlerësoi arritjet sipas objektivave të BE-së për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Ndërsa asistent/drejtori i Administrimit të të Ardhurave pranë FMN-së, z.Juan Toro nënvizoi nevojën për përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave nga administratat tatimore, duke përforcuar pajtueshmërinë vullnetare, ofrimin e shërbimeve më të mira ndaj tatimpaguesve, si dhe zhvillimin e sistemeve të IT-së.
Ky takim, është në vazhdën e atyre të organizuar gjatë dy viteve të kaluara, ku janë diskutuar pikat e përbashkëta të interesit, si dhe prioritetet që ekspertët e FMN-së kanë përcaktuar për t’u ndjekur nga vendet e rajonit.