Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, takim informues me subjektet që operojnë në sektorin e turizmit

Drejtoria Rajonale Tatimore e Korçës, në kuadër të planit të masave për sezonin turistik  zhvilloi në qytetin e Pogradecit një tryezë të përbashkët me subjekte, që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

Në fjalën e tij, drejtori i DRT Korçë, z. Juxhin Saro e vuri theksin te rëdësia e bashkëpunimit me sipërmarrjen turistike në këtë rajon për të bërë të mundur mbarëvajtjen e sezonit.

Pasi i njohu pjesëmarrësit në takim me planin që ka nisur të zbatohet, z.Saro,  theksoi se qëllimi kryesor është që sigurohet zbatimi korrekt i detyrimeve tatimore, si dhe të rritet transparenca e kërkuar nga turistët. Drejtori i DRT Korçë i ftoi bizneset që të përmirësojnë vetëdeklarimet e tyre dhe të realizojnë brenda afateve të përcaktuara në ligj pagesat.  “Tatimpaguesit, që do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftesë të administratës tatimore që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve apo vizitave fiskale”, tha z.Saro.

Sipas tij, Administrata Tatimore ka në fokus të punës ndërgjegjësimin e tatimpaguesve dhe jo penalizimin e tyre.

Përfaqësuesit e biznesit, nga ana e tyre, vlerësuan zhvillimin e këtyre takimeve dhe kërkuan që të forcohen masat për uljen e informalitetit, gjë e cila i shërben përmirësimit të klimës së sipërmarrjes dhe lufton konkurrencën e pandershme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke zbatuar një plan të detajuar masash për të siguruar një ecuri sa më pozitive të sezonit, në të gjitha zonat turistike të vendit.