Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve organizoi një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e shoqatave kryesore të sektorit të turizmit në vend.
Në këtë takim i cili drejtohej nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero dhe nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm z.Xhavit Çurri, morën pjesë përfaqësues nga Shoqata Shqiptare e Turizmit ( ATA), Unioni Turistik Shqiptar UTSH), Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA), Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike të Shqipërisë (NATGA).
Në fjalën e saj, znj.Vjero, falënderoi përfaqësuesit e shoqatave për frymën e bashkëpunimit që po tregojnë dhe theksoi se Administrata Tatimore, ka si qëllim kryesor t’i vijë në ndihmë tatimpaguesve, për respektimin e detyrimeve të tyre ligjore, duke u kujdesur gjithashtu për të siguruar edhe transparencën e kërkuar me turistët vendas dhe të huaj.
Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar zbatimin e një plani të detajuar veprimesh.
“Ne, si administratë tatimore, synojmë që të nxisim tatimpaguesit e këtij sektori, që të përmirësojnë vetëdeklarimet e tyre dhe të përmbushin me korrektësi të gjitha detyrimet që përcakton ligji. Kjo është edhe risia e këtij plani, në ndryshim nga ata të zbatuar më parë.
Qëllimi i zbatimit të këtyre masave, që do të shtrihen deri në fund të muajit shtator, nuk është penalizimi i bizneseve, por mbarëvajtaj e këtij sezoni, reduktimi i informalitetit dhe rritja e të të ardhurave në buxhetin e shtetit”, tha znj.Vjero.
Plani i masave, parashikon se do të mbeten jashtë verifikimeve dhe kontrolleve të përditshme të strukturave përkatëse, vetëm tatimpaguesit, të cilët kanë përmirësuar vetëdeklarimin e tyre të TVSH-së së pagueshme dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo muaj të sezonit turistik të këtij viti, krahasuar me deklarimet respektive të muajve të vitit të kaluar.
Përfaqësuesit e katër shoqatave kryesore në vend, vlerësuan nismën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për t’u njohur nga afër me problemet që shqetësojnë biznesin në sektorin e turizmit. Ata kërkuan rritje të bashkëpunimit për të luftuar informalitetin dhe konkurrencën e pandershme. Pozitivisht u vlerësuan lehtësitë fiskale që po ndërmerr qeveria shqiptare, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj tatimpaguesve.
Administrata Tatimore do të vazhdojë të jetë e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.