Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tërheq vëmendjen për respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në sektorin e turizmit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, dëshiron të tërheq vëmendjen e të gjithë tatimpaguesve, që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor, për respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar me kohë të plotë apo të pjesshme.

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët do të punësojnë punonjës të rinj duhet të deklarojnë ata të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës në zbatim të nenit 119 të Ligjit nr.9920,datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Paga minimale për efekt të llogaritjes së kontibuteve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 24,000 lekë/muaj.

Theksojmë se, në asnjë rast nuk parashikohet në legjislacionin në fuqi marrja e punonjësve në periudhë prove, që do të thotë se ju duhet të deklaroni të gjithë personat që angazhohen për te ofruar punën e tyre qoftë edhe ne kohë prove.

Gjithashtu, detyrimi për përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore është edhe për studentët, të cilët punësohen në subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në sektorin e turizmit.

Kujdes! Studentët trajtohen njësoj si të gjithë të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj ose më shumë se 87 orë pune në muaj (e sqaruar si më lartë).

Nëse, nga verifikimi dhe kontrolli që do të ushtrohet nga Administrata Tatimore do të  rezultojë se tatimpaguesi nuk ka deklaruar çdo të punësuar, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, atëherë ai do t’i nënshtrohet sanksioneve përkatëse, të parashikuara në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “për Procedurat Tatimore në R.SH”. Nëse është tatimpagues i biznesit të madh, penaliteti  llogaritet në 200,000 (dyqind mijë) lekë dhe nëse është tatimpagues i biznesit të vogël, atëherë penaliteti është 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje se  në fokus të punës së saj nuk është ndëshkimi dhe zbatimi i penaliteteve, por ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të zbatur me korrektësi detyrimet që lindin nga zbatimi i legjislacionit në fuqi.