Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar në luftën për parandalimin dhe goditjen e informalitetit. Për periudhën janar – prill 2018, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka kontrolluar 12,671 subjekte tregtare, nga të cilat 2,035 ose 16 % e subjekteve kanë rezultuar me shkelje në vlerën mbi 50 milionë lekë.
Numri më i lartë i penaliteteve ka qenë për mallra të pa shoqëruara me faturë tatimore në 923 raste, që zënë rreth 45% ndaj totalit. Për moslëshim kuponi, janë penalizuar 276 subjekte tregtare, ndërsa 25 subjekteve u është mbyllur veprimtaria ekonomike për 30-ditë kalendarike, 116 subjekte jane konstatuar pa licencë. Numër i lartë i subjekteve janë penalizuar për punonjës të padeklaruar në organin tatimor, pikërisht 174 subjekte janë penalizuar që kanë mbajtur punonjës të padeklaruar.
Drejtoria e Hetimit Tatimor, gjithashtu e ka përqendruar punën edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit, zbulimit dhe goditjes të veprave penale në fushën e tatim-taksave. Për këtë janë bërë referimet e çështjeve në prokurori dhe në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse të rretheve gjyqësore do të vazhdojë hetimi i këtyre rasteve.
Dhe më konkretisht: gjatë muajve Janar – Prill 2018 janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore sipas kompetencave 67 subjekte tregtare, për 7 vepra penale me 85 autorë, ku 12 autorë janë arrestuar dhe pjesa tjetër po hetohen në gjendje të lirë.
Drejtoria e Hetimit Tatimor vazhdon punën për dokumentimin ligjor, me qëllim goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së kundraligjshme si dhe dërgimin e autorëve para organeve të drejtësisë.