Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndërgjegjësimi i publikut mbi çështjet fiskale është një nga prioritetet e punës së saj.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, organizuan një program të dedikuar për edukimin fiskal, në disa shkolla të arsimit 9-vjeçar në kryeqytet. Më konkretisht në shkollën: “Emin Duraku”, “Edith Durham”, “1 Maji”, “Mihal Grameno”, “Hasan Vogli”, “Vasil Shanto”, “Jeronim De Rada”, “Pjetër Budi” dhe “Fan Noli”. Në dy klasa paralele për çdo vit, u realizuan orë mësimi të hapura me grupmosha nga 10 - 15 vjeç.
Në orët e edukimit fiskal, nxënësit, në mënyrë aktive u njohën me nocionet bazë mbi tatimet dhe taksat. Ky program synon inkurajimin e qytetarisë, solidaritetit, pjesëmarrjes dhe vetëdijes mbi të drejtat dhe detyrimet, si dhe rritjen e kulturës fiskale tek moshat e reja.
Pagesa e taksave shpesh konsiderohet si një detyrim më shumë ndaj shtetit sesa një detyrë qytetare në të mirë të të gjithëve. Sfida e këtij programi është braktisja e sjelljeve detyruese, shtrënguese, si dhe ndërtimi i një marrëdhënie bashkëpunimi midis shtetit dhe individit.
Edhe nga ana e nxënësve pati mjaft interes në lidhje me tema të ndryshime, si : mosdhënia e kuponit tatimor, sidomos nga bizneset përreth shkollave; besueshmëria në administrimin e tatimeve dhe taksave nga institucionet përkatëse; çështjet lidhur me Informalitetin, etj..
Kultura fiskale është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë potenciali i së ardhmes.