Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka informuar në terren 10,994 biznese të vogla

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vazhdon fushatën e informimit për biznesin e vogël, të përfshirë në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga të dhënat që disponon DPT-ja deri tani janë vizituar në terren nga punonjësit e specializuar të Shërbimit të Tatimpaguesve në të gjitha drejtoritë rajonale 10,994  subjekte të biznesit të vogël.

Gjithashtu, po për këtë kategori tatimpaguesish janë organizuar sesione trajnimesh për 3,184 subjekte. Në këto trajnime, përfaqësuesit e biznesit të vogël mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me hartimin dhe afatet e dorëzimit të librave të shitjes dhe të blerjes, si edhe për plotësimin e deklaratës së TVSH-së dhe afatin e parë të dorëzimit që është data 10 korrik 2018.

Në kuadër të kësaj fushate, sipas të dhënave të DPT-së,  pranë Këndeve të Asistencës (12 të tilla) janë njohur me detyrimet ligjore 5,605 tatimpagues të vegjël.

Për Administratën Tatimore pjesëmarrja e biznesit të vogël në këto trajnime është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë merren njohuritë bazë mbi skemën dhe mund të shmangen gabimet e mundshme, gjatë deklarimeve. Të gjithë të interesuarit mund të konsutojnë kalendarin e trajnimeve ne faqen zyrtare të DPT-së dhe të bëhen pjesë aktive e sesioneve.

Megjithatë, në çdo rast, punonjësit e specializuar të administratës janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën e duhur, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit.