Administrata Tatimore po vijon në të gjitha drejtoritë rajonale të informojë biznesin e vogël që ka ndryshuar tashmë përgjegjësinë tatimore.
Në pak më shumë se dy muaj, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve kanë realizuar takime ‘ballë për ballë” në mjediset e ushtrimit të aktivitetit me 10,357 subjekte të biznesit të vogël.
Për të njëjtën periudhë kohore janë zhvilluar sesione trajnimesh për 2,983 subjekte të kësaj kategorie. Në këto sesione biznesit të vogël i është dhënë informacioni i duhur lidhur me plotësimin e librave të blerjes dhe shitjes, si dhe të deklaratës së TVSH-së.
Administrata Tatimore pranë Këndit të Asistencës ka njohur në mënyrë të detajuar mbi detyrimet ligjore dhe afatet 5,105 tatimpagues të vegjël.
Në çdo rast, punonjësit e saj janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë, të drejtë dhe të qartë mbi detyrimet ligjore.
Fushata e informimit për tatimpaguesit e vegjël do të vazhdojë deri në plotësimin e deklaratës së parë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të gjitha strukturat që janë angazhuar në këtë fushatë janë gjithmonë të gatshme të ofrojnë ndihmën profesionale, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar sa më saktë dhe drejtë mbi detyrimet ligjore. Gjithashtu inkurajohen tatimpaguesit që të bëhen pjesë aktive në trajnimet e dedikuara që do të zhvillohen deri në fund të muajit qershor.