Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në përmbushje të detyrave të saj, ka si qëllim jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për zbatimin me korrektësi të detyrimeve ligjore që ata kanë.
Bazuar në analizën e të dhënave, për vitin 2017 rezulton se janë 23,182 tatimpagues të cilët kanë detyrimin për të dorëzuar pranë Administratës Tatimore deklaratën e pagesës së Tatimit mbi Fitimin. Nga këta 21,652 ose rreth 93.4% e totalit e kanë përmbushur tashmë këtë detyrim.
Për 1,528 tatimpagues, të cilët nuk kishin dorëzuar këtë deklaratë, sipas legjislacionit në fuqi nga organet tatimore u bë rivlerësimi automatik për detyrimet që ata duhet të paguajnë për 2017-ën. Nga këta tatimpagues që kishin rivlerësim automatik, 54 dorëzuan deklaratën e tyre për vitin 2017.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u bën thirrje tatimpaguesve, të cilët akoma nuk kanë dorëzuar deklaratën e pagesës së Tatim Fitimit për vitin 2017, të marrin të gjitha masat për ta përmbushur këtë detyrim. Nëse kjo deklaratë nuk dorëzohet, nga ana e Administratës Tatimore këta tatimpagues do të konsiderohen me risk dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve e investigimeve të vazhdueshme deri në dorëzimin përfundimtar të saj.
Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të përmbushur me korrektësi detyrimet tatimore mbetet prioritet.