Informimi i biznesit të vogël në lidhje me detyrimet ligjore që kanë lindur me futjen në skemën e TVSH-së, vazhdon të jetë prioritet për administratën tatimore në të gjitha drejtoritë rajonale.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër, z. Hysen Hysaj i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimit dhe Asistencës ndaj Tatimpaguesit kryen vizita informuese në subjekte, që prej më shumë se një muaji janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Në DRT Shkodër janë 447 biznese të vogla që kanë kaluar në këtë përgjegjësi tatimore dhe të gjithë janë asistuar dhe informuar.
Nga ana e tij z. Hysaj, i siguroi subjektet se do të asistohen në çdo hap për të përmbushur me korrektësi detyrimet e reja ligjore. Për këtë, biznesi, inkurajohet që t’i drejtohet edhe Këndit të Asistencës, i ngritur për këtë qëllim.
Ai i ftoi subjektet që të bëhen pjesë e trajnimeve të dedikuara për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe për të qartësuar çdo problem që mund t’ju lindë në vazhdimësi.