Në të gjithë drejtoritë rajonale tatimore në vend po vijon fushata informuese për biznesin e vogël që prej një muaji është përfshirë në skemën e TVSH-së.
Gjatë vizitave të kryera në subjekte, drejtori i Drejtorisë Rajonale Kukës z. Albert Halilaj, i shoqëruar edhe nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve, i njohu sipërmarrësit me detyrimet ligjore, siç janë edhe hartimi e dorëzimi i librave të shitjes dhe të blerjes, kryerja e deklaratës së TVSH-së etj..
Z.Halilaj e siguroi biznesin e vogël se punonjësit e administratës që ai drejton janë gjithmonë në dispozicion të kësaj kategorie për të dhënë të gjithë asistencën e duhur ligjore dhe teknike për mënyrën e deklarimit në sistem.
Në rajonin e Kukësit, numri i biznesve të vogëla që kanë ndryshuar regjimin fiskal është 64. Mbi 85% e këtyre subjekteve kanë tërhequr blloqet e TVSH-së dhe kanë bërë ndryshimin e shkallës tatimore në pajisjet e tyre fiskale. Në mënyrë të vazhdueshme, tha z. Halilaj, me këtë kategori tatimpaguesish po mbahen kontakte të vazhdueshme nga ana e punonjësve të Shërbimit të Tatimpaguesve.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve që të vazhdojnë të marrin pjesë në trajnimet e dedikuara.