Rreth 8,700 individë dorëzuan në fund të muajit prill Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), një detyrim vjetor që në Republikën e Shqipërisë e kanë si rezidentët, ashtu edhe jo rezidentët, të cilët realizojnë të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë. Kjo shifër është rreth 5% më e lartë se numri i deklaruesve të vitit paraardhës.
Për vitin 2017, vlera e paguar nga individët, të cilët bënë deklarimin e të ardhurave vjetore u rrit me 118%, krahasuar me pagesat e kryera për vitin 2016. Thënë ndryshe, pagesa totale e derdhur nga këta individë në buxhetin e shtetit është në vlerën e rreth 275 milionë lekëve.
Një shifër e tillë, për Administratën Tatimore tregon padyshim ndërgjegjësimin e kësaj kategorie individësh për deklarimin dhe pagesën e të ardhurave personale të tatueshme, si dhe është një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se individët, të cilët konstatojnë se kanë bërë gabime në deklaratën e dorëzuar në datë 30 Prill, kanë të drejtë të korrigjojnë deklaratën e tyre dy herë brenda një periudhe tremujore.
Për më shumë informacion, mund të klikoni në faqen zyrtare të Administratës Tatimore, www.tatime.gov.al, të drejtoheni në zyrat e shërbimit ndaj tatimpaguesve ose pranë drejtorive rajonale tatimore, të telefononi në numrin e telefonit pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve apo të komunikoni me shërbimin Live Chat.