Administrata Tatimore po informon në mënyrë intensive biznesin e vogël, që është futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Nga fillimi i muajit mars, kohë në të cilën nisi fushata, e deri tani janë vizituar nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në të gjithë vendin 9,246 subjekte ose 93% e totalit, të identifikuar në bazë të vetëdeklarimeve.
Gjithashtu janë zhvilluar nga çdo drejtori rajonale sesione trajnimesh për 2,807 subjekte të kësaj kategorie.
Këto sesione, drejtohen nga specialistët më të mirë të administratës tatimore dhe në to mund të merret informacioni kryesor në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren deri në deklarimin e parë që është data 10 korrik, siç është hartimi dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe të blerjes, kryerja e deklaratës së TVSH-së etj..
Ndërsa te Këndi i Asistencës, deri tani 4,404 biznese të vogla ose rreth 44% e totalit janë njohur në mënyrë të detajuar mbi detyrimet ligjore, si dhe afatet përkatëse.
Administrata Tatimore gjen sërish rastin që të inkurajojë biznesin e vogël që të bëhet pjesë aktive e këtyre sesioneve deri në fund të muajit qershor.
Në çdo rast, punonjësit e saj janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë, të drejtë dhe të qartë mbi detyrimet ligjore.