Drejtoria Rajonale Tatimore e Tiranës, në kuadër të fushatës informuese, organizoi një tryezë të përbashkët me 40 përfaqësues të biznesit të vogël.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës, z. Dionis Imeraj, gjatë fjalës së tij i siguroi, jo vetëm pjesëmarrësit, por të gjitha bizneset e vogla të rajonit se do të kenë në çdo kohë mbështetjen e administratës në lidhje me ndryshimet ligjore, që kanë lindur nga data 1 Prill 2018, siç janë edhe hartimi e dorëzimi i librave të shitjes dhe të blerjes, kryerja e deklaratës së TVSH-së etj.. Z.Imeraj theksoi se nga ana e administratës tatimore nuk do të shoqërohen në asnjë moment me penalitete gabimet në deklaratë.
Gjithashtu nga ana e Administratës Tatimore, tatimpaguesit e vegjë,l u siguruan se do të asistohen për çdo paqartësi, shqetësim apo pengesë që mund të hasin në përmbushjen e hapave të nevojshëm ligjorë. Çdo punonjës tatimor do të informojë me korrektesë dhe saktësi në lidhje me detyrimet ligjore.
Sipas z. Imeraj, lehtësitë që po ndërmerr qeveria për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie, do të nxisin vetëdeklarimet, që janë në funksion të skanimit më të mirë të transaksioneve të biznesit të madh.
Takime të tilla janë zhvilluar në të gjitha drejtoritë rajonale nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore.
Administrata Tatimore vazhdon të inkurajojë biznesin e vogël që të ndjekë nga afër sesionet e dedikuara të trajnimeve, si dhe t’i drejtohet për informacion Këndit të Asistencës, por edhe Qendrës së Thirrjeve.