Qendra e Thirrjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve vijon të komunikojë me tatimpaguesit e vegjël, që janë bërë tashmë pjesë e skemës së TVSH-së.
Përmes këtij komunikimi, kjo kategori tatimpaguesish është udhëzuar lidhur me detyrimin e tyre për të ndryshuar përgjegjësinë e pajisjes fiskale, si dhe pajisjen me blloqe të faturave tatimore të TVSH-së, kryerjen e inventarëve, mbatjen e librave të shitjes dhe të blerjes dhe mbi të gjitha që të kërkojnë fatura në blerje me TVSH dhe të shesin me TVSH.
Në katër muajt e parë të vitit 4,770 subjekte kanë preferuar të informohen përmes telefonit për të njohur detyrimet e tyre për kalimin në skemën e TVSH-së.
10,291 ka qenë numri i telefonatave të realizuara për periudhën janar-prill 2018 nga punonjësit e Qendrës së Thirrjeve drejtuar këtyre bizneseve.
Gjithashtu tatimpaguesit inkurajohen që të përdorin si kanal komunikimi edhe Live Chat. Për katër muajt e parë të vitit janë 2,527 tatimpagues, të cilët kanë marrë informacione përmes këtij shërbimi.
Ju mund të kontaktoni me Qendrën e Thirrjeve duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 00 02. Një operator do t’ju ofrojë asistencë në kohë reale, nga e hëna në të enjte ora 08:30-18:00 dhe e premte ora 08:30-16:00.