Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kujton se çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në vit, në mbështetje të Ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.
Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.
Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë :
Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm.
Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.
Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi.
Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).
Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së më poshtë:
- Për shumën e pagave mujore deri 30,000 lekë tatimi është zero përqind
- Për shumën e pagave mujore nga 30,001 lekë - 130,000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30,000 lekë
- Për shumën e pagave mujore nga 130,001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23% e shumës mbi 130,000 lekë
Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet.
Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga cdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit.
Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet.
Shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit të vendosur në kutinë 22 të deklaratës. Në rastin e individëve, të cilët në asnjë muaj të vitit nuk kanë qenë të dypunësuar, shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, është gjithmonë e barabartë me tatimin e mbajtur në burim dhe të paguar nga punëdhënësi për pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit, të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.
Kujdes!
Tatimi mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, duhet të llogaritet vetem për pagat dhe shpërblimet e përfituara nga individi, bazuar në një marrëdhënie të rregullt punësimi dhe sipas shumave të deklaruara nga punëdhënësi në listëpagesat respektive. Çdo e ardhur tjetër, e përfituar për shkak të marrjes pjesë në Komisione të ndryshme, Komitete, borde drejtuese, këshilla mbikqyrese etj, për të cilat është mbajtur paraprakisht 15 % Tatim në Burim nga përfituesi i shërbimit dhe nuk janë deklaruar si paga nga ky i fundit, nuk duhet të llogariten si pagë e përfituar nga individi deklarues. Totali i pagave dhe shpërblimeve të deklaruara nga individi deklarues duhet të përputhen me totalin e pagave dhe shpërblimeve të deklaruara për të nga punëdhënësit, sipas deklaratave të listëpagesave respektive të administruara nga administrata tatimore.
Për më shumë informacion, mund të klikoni në faqen zyrtare të Administratës Tatimore, www.tatime.gov.al, të drejtoheni në zyrat e shërbimit ndaj tatimpaguesve ose pranë drejtorive rajonale tatimore, si edhe të telefononi në numrin e telefonit pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve.
Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.