Janë 8,586 subjekte të biznesit të vogël, që janë përfshirë për herë të parë në skemën e TVSH-së, ose rreth 87% e totalit, që janë informuar tashmë mbi detyrimet ligjore me anë të vizitave në terren nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vazhdon informimin e biznesit të vogël që është përfshirë në skemën e TVSH-së, përmes vizitave në mjediset ku ushtrohet aktiviteti, trajnimet e dedikuara, si dhe këshillim në Këndet e Asistencës në të gjitha drejtoritë rajonale.
Deri tani, janë zhvilluar sesione trajnimesh për 2,538 subjekte, që parashikohet të zgjasin deri në fund të muajit qershor. Në këto sesione biznesi merr informacionet bazë mbi skemën e TVSH-së, por edhe në lidhje me ndryshimin e shkallës tatimore në pajisjen fiskale, inventarin e mallrave gjendje më datë 31.03.2018, hartimin dhe dorëzimin e librave të shitjes dhe të blerjes, kryerjen e deklaratës së TVSH-së etj..
Ndërsa te Këndi i Asistencës, deri tani 4,006 biznese të vogla ose rreth 40% e totalit kanë marrë informacion në lidhje me të gjitha hapat që do të duhet të ndiqen në vijim.
Administrata Tatimore inkurajon biznesin e vogël që të marrë pjesë aktivisht në këto trajnime. Por, në çdo rast punonjësit janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë mbi detyrimet ligjore.