Institucioni

Institucioni > Lajme >

Biznesi i vogël me TVSH,  mbi 68% e subjekteve që kanë hyrë në skemë janë informuar në terren nga administrata tatimore

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vazhdon informimin e biznesit të vogël që është përfshirë në skemën e TVSH-së, përmes vizitave në mjediset ku ushtrohet aktiviteti, trajnimet e dedikuara, si dhe këshillim në Këndet e Asistencës në të gjithë vendin.

Nga fillimi i muajit mars e deri tani, janë zhvilluar sesione trajnimesh për 2,412 subjekte, që parashikojnë të zgjasin deri në fund të muajit qershor. Në këto sesione biznesi ka mundësi që të marrë informacionet bazë mbi skemën e TVSH-së, por edhe të bëjë pyetje e të marrë përgjigjë për aspekte ligjore që për ta janë të paqarta. Në total në rang vendi  janë parashikuar 100 sesione trajnuese.

Po kështu punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në të 12 drejtoritë rajonale kanë realizuar në mbarë vendin 6,849 vizita informuese në terren ose rreth 68% e totalit të parashikuar. Gjatë takimeve “ballë për ballë”me biznesin e vogël atë marrin fletëpalosje, si dhe materiale të tjera informuese të nevojshme.

Ndërsa te Këndi i Asistencës, deri tani 3,530 biznese të vogla ose 35% e totalit  kanë marrë informacion në lidhje me të gjitha hapat që do të duhet të ndiqen në vijim.

Administrata Tatimore inkurajon biznesin e vogël që të marrë pjesë aktivisht në këto trajnime.  Por, në çdo rast punonjësit janë të gatshëm të ofrojnë të gjithë ndihmën, si në mjediset e administratës, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë mbi detyrimet ligjore.