Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve vizitë pune në Drejtorinë Rajonale Gjirokastër

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero, zhvilloi një vizitë pune me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Gjirokastër dhe Drejtorisë Rajonale Sarandë, ku shoqërohej edhe nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Xhavit Curri.

Në fokus të këtij takimi ishte analiza e punës së administratës tatimore të dy drejtorive rajonale gjatë vitit të kaluar, por edhe performanca e dy muajve të parë të vitit 2018.

Veçanërisht u analizuan rezultatet lidhur me mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe u trajtua strategjia konkrete që do të ndiqet gjatë këtij viti.  Gjithashtu nga znj. Vjero kërkoi që të merren masa për parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja.

Një tjetër çështje që u diskutua ishte edhe ajo e zbatimit me rigorozitet e procedurave për rimbursimin e TVSH-së dhe respektimi i afateve ligjore.

Në mënyrë të veçantë, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve,  kërkoi nga administrata tatimore e Sarandës që të nisë sa më shpejtë zbatimin e një plani të detajuar masash për sezonin turisik, i cili duhet të ketë në fokus luftën kundër informalitetit dhe rritjen e bazës së tatimpaguesve. 

Znj. Vjero, gjatë fjalës së saj, tha se administrata duhet të ketë një panoramë të qartë të gjitha subjekteve, që ofrojnë shërbime gjatë sezonit turisik në këtë rajon.

Gjithashtu, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve u kërkoi strukturave të Shërbimit të Tatimpaguesve, në të dy drejtoritë, që të angazhohen maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë biznesit të vogël, kryesisht atyre që do të përfshihen në skemën e TVSH-së nga data 1 Prill.

Përveç këshillimit në “Këndin e Asistencës për Biznesin e Vogël”, znj. Vjeroi kërkoi që të kryhen të gjitha vizitat e planifikuara në terren nga grupet e punës për të dhënë asistencën e nevojshme. Kryesisht kjo kategori biznesi do të ndihmohet në plotësimin elektronik të deklaratave tatimore, veçanërisht atë të TVSH-së.

Administrata tatimore, gjithnjë e më shumë po i kushton rëndësi rritjes së cilësisë së shërbmit të tatimpaguesve, krahas detyrimit të rritjes së të ardhurave.