Institucioni

Institucioni > Lajme >

Takim me FMN-në, vlerësohet performanca e administratës tatimore, inkurajohen reformat e nisura

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero, priti në një takim drejtues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët ndodhen në një vizitë dy javore në vendin tonë, në kuadër të monitorimit pas përfundimit të marrëveshjes.

Misioni i FMN-së i kryesuar nga znj. Anita Tuludhar, si dhe nga përfaqësues të tjerë të lartë, vlerësoi performancën e deritanishme të administratës tatimore, rezultatet e arritura nga aksioni Antiinformalitet, por edhe përpjekjet që po bëhen për të rritur  bazën e tatimpaguesve, si dhe cilësinë e shërbimit.

Gjatë takimit të Misionit të FMN në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve u trajtuan çështje që lidhen me strukturën organizative, konsolidimin e kapaciteteve në departamentet kryesore të administratës, fokusimi tek borxhi tatimor dhe risku, si dhe vlerësimi i situatës së përgjithshme të zbatimit të reformave.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilka Vjero e njohu misionin e FMN-së me projektet kryesore që janë duke u zbatuar, siç është fiskalizimi, rritja e numrit të pagesave që do të realizohen në rrugë elektronike, si një mënyrë për të ulur kontaktin e tatimpaguesve me administrarën tatimore, por edhe për të kursyer kohë dhe para.

Gjithashtu, vëmendje gjatë takimit iu kushtua edhe masave që po ndërmerr administrata tatimore për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, jo vetëm në këshillim dhe trajnim, por edhe në venien në funksion të sistemit në kohën e duhur për realizuar deklartimin elektronik.

Misioni i FMN-së inkurajoi administratën tatimore që të vazhdojë reformat për thjeshtimin e procedurave, si dhe për forcimin e mëtejshëm të rolit të administratës tatimore në vend.