Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoresha e Përgjithshme takim pune në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Vasilika Vjero zhvilloi një takim pune ditën e martë në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Tiranë. Ajo shoqërohej nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Xhavit Curri, nga Drejtori i Hetimit Tatimor z. Enertil Canaj, si dhe nga Drejtori i Hetimit Tatimor të Rajonit Qendror z. Adrian Shehu.

Në fokus të këtij takimi ishte ecuria e deritanishme e performancës së kësaj drejtorie rajonale, e para për nga rëndësia në vend, duke qenë se administron rreth 40% të totalit të tatimpaguesve.

Gjatë fjalës së saj znj.Vjero, theksoi rëndësinë që ka rritja e mëtjeshme e cilësisë së shërbimit ndaj tatimpaguesve. Ajo kërkoi angazhim maksimal për të plotësuar të gjitha nevojat që ka apo mund t’i lindin biznesit, veçanërisht për kategorinë që do të përfshihet në skemën e TVSH-së, duke nisur nga data 1 Prill 2018. Në lidhje me këta tatimpagues, znj.Vjero kërkoi nga administrata tatimore e Drejtorisë Rajonale të Tiranës që të shpërndajë të gjithë informacionin e nevojshme, si dhe të nxisë biznesin që të vizitojë edhe “Këndin e Asistencës për Biznesin e Vogël” pranë zyrës Shërbimit të Tatimpaguesve.

Gjithashtu znj.Vjero kërkoi që të ndiqen me kujdes të gjithë hapat për respektimin e afateve në për kontrollet e planifikuara, për koordinimin e strukturave institucionale përkatëse, që kanë si objekt kërkesat për rimbursim dhe përmbushjen e tyre brenda afateve të parashikuara nga ligji. 

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se administrata tatimore e DRT Tiranë duhet të ketë në qendër të punës së saj edukimin dhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për të rritur vetëdeklarimet, por edhe të ardhurat tatimore.