Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero, zhvilloi ditën e premte një vizitë pune në Drejtorinë Rajonale Fier. Ajo shoqërohej nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimev z.Xhavit Curri, nga Drejtori i Hetimit Tatimor z. Enertil Canaj dhe nga Drejtori i Hetimit Tatimor të Rajonit Jugor z. Bardhyl Tafa.
Në takimin me strukturat drejtuese të kësaj drejtorie, ku u njoh nga afër me performancën e deritanishme, znj Vjero kërkoi që të ndiqen me kujdes të gjithë hapat për respektimin e afateve në realizimin e kontrolleve të planifikuara, për koordinimin e strukturave institucionale për kontrollet, që kanë si objekt kërkesat për rimbursim dhe përmbushjen e tyre brenda afateve të parashikuara nga ligji.
Gjithashtu znj. Vjero kërkoi të ngrihen grupe pune të posaçme edhe për verifikimin e gjendjes se fermerëve për të rritur formalizimin e kësaj kategorie, por dhe të grumbulluesve.
Gjatë takimit, znj.Vjero ndaloi edhe pranë zyrës së Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, që e vlerësoi si një model që duhet ndjekur edhe nga rajonet e tjera.
Ajo theksoi rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit, plotësimi i nevojave të veçanta, të dedikuara ndaj tatimpaguesve,sikundër është edhe “Këndi i Asistencës për Biznesin e Vogël”. Përmes këtij këndi, tatimpaguesve iu vihet në ndihmë për të plotësuar deklarimin tatimor, si dhe u jepet informacion i hollësishëm për çdo problem apo vështirësi me të cilën përballen gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve vizitoi edhe zyrën e Hetimit të Rajonit të Jugor, ku nënvizoi se ky sektor është një nga shtyllat kryesore dhe forcimi i rolit të tij është domosdoshmëri. Ajo u ndal edhe te kontrollet që kjo strukture po zhvillon në këtë rajon.
Për administratën tatimore edukimi dhe ndërgjegjësimi për të rritur vetëdeklarimin te tatimpaguesit mbetet filozofia kryesore e punës.