Institucioni

Institucioni > Lajme >

Koordinim institucional në luftën e përbashkët kundër evazionit fiskal

Koordinimi i veprimeve në luftën e përbashkët kundër evazionit fiskal, ishte objekt i takimit të sotëm, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Drejtuesit rajonalë dhe ata të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në një tryezë të përbashkët, diskutuan mbi fushat e veprimit, shkëmbimin efektiv të informacionit dhe bashkëpunimin e ngushtë, me qëllim reagimin e shpejtë të strukturave përkatëse për të parandaluar, evidentuar dhe penalizuar fenomene të shmangies së detyrimeve ligjore nga ana e tatimpaguesve.
Më konkretisht, në këtë takim u analizuan të dhënat mbi referimet e rasteve të përcjella nga Drejtoritë Rajonale Tatimore drejt strukturave të specializuara të Hetimit Tatimor si dhe intensifikimi i bashkëpunimit për referimin në kohë të rasteve të dyshuara të veprave penale të lidhura me tatim-taksat.
Kryesisht ky bashkëpunim do të ketë në fokus fenomenet e dyshuara të mashtrimit financiar, akumulimin e detyrimeve tatimore të papaguara, raste të fshehjes së të ardhurave apo akumulimit të pajustifikuar të tyre si dhe çdo rast tjetër që përbën shkelje të legjislacionit tatimor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e angazhuar në forcimin e kapaciteteve të administratës tatimore në luftën kundër fenomeneve të shmangies së detyrimeve ligjore dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve që kryejnë vepra penale.