Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Znj Vasilika Vjero, kreu një vizitë të Premten, në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Gjatë kësaj vizite pune, u njoh me ecurinë e veprimtarisë së administratës tatimore në këtë drejtori rajonale, e cila për nga numri i tatimpaguesve të administruar, renditet e dyta më e rëndësishme në vend.
Znj Vjero, u ndal veçanërisht në ambientet e shërbimit ndaj tatimpaguesve ku u njoh me progresin e rëndësishëm që kalimi i 9 shërbimeve tatimore në platformën qeveritare e-albania i ka dhënë këtij shërbimi. Nga analiza e të dhënave rezulton se 66% e kërkesave për t’u pajisur me vërtetime, tashmë kryhet online dhe vëtem 34% e tyre trajtohen në sportele. Drejtoresha Rajonale e Tatimeve Durrës, znj.Valbona Sako, tha se kjo reformë i ka dhënë më shumë frymëmarrje shërbimit ndaj tatimpaguesve duke e rikthyer atë në funksionin parësor atë të informimit edukimit dhe asistencës ndaj tatimpaguesve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero gjatë kësaj vizite njoftoi edhe krijimin së shpejti, të këndit së asistencës për Biznesin e Vogël që do të përfshihet në për herë të parë në skemën e TVSH-së. Ky kënd do të shërbejë ekskluzivisht për këtë kategori tatimpaguesish për t’i ndihmuar ata me plotësimin dhe deklarimin konkret të deklaratave në sistemin tatimor e-filing.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve përgëzoi punonjësit e Drejtorisë Rajonale Durrës, si dhe kërkoi angazhim maksimal në përmbushje të detyrave për ofrimin e një shërbimi cilësor për të gjithë tatimpaguesit.