Në një vit nga çelja e Qendrës së Thirrjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ofroi shërbim pa pagesë për më shumë se 65.000 tatimpagues. Qendra e Thirrjeve u konceptua si një instrument në dobi të qytetarëve dhe sipërmarrjes duke ju ardhur atyre në ndihmë paravësisht vendndodhjes dhe pa asnjë kosto. Qendra e Thirrjeve shërben si ndihmë e parë për informacion dhe asistencë lidhur me legjislacionin tatimor, deklarimin elektronik apo edhe për shërbime të tjera të ofruara nga administrata tatimore.
Nga 1 Shkurti i vitit të shkuar, në numrin e gjelbër 0800 00 02 kanë mbërritur 9,728 telefonata e ndërkohë administrata ka komunikuar me 49,835 tatimpagues për njoftime të dedikuara të lidhura me kujtesa për afatet e deklarimit, komunikime direkte për t’i informuar për mundësinë e vetkorrigjimit, përfitimin nga ligji i faljes apo kujtesa për shlyerjen e detyrimeve tatimore.
Specialistët e administratës të angazhuar në Qendrën e Thirrjes, administrojnë edhe komunikimin në kohë reale, nëpërmjet dritares së ndihmës Live Chat, e cila është aktive në faqen zyrtare të tatimeve. Nëpërmjet kësaj platforme është komunikuar me 6,073 përdorues dhe vizitorë të faqes.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve falenderon të gjithë tatimpaguesit të cilët kanë besuar në këto shërbime, si dhe do të jetë vijojë të jetë e angazhuar maksimalisht në përmirësimin e shërbimeve të ofruara për sipërmarrjen me qëllim minimizimin e kostos dhe kohës për përfitimin e shërbimeve për ta.