Institucioni

Institucioni > Lajme >

Miratohen Planet Operacionale të DPT, për vitin 2018

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zhvilloi të martën, mbledhjen e radhës së Komitetit Operacional me objekt “Miratimin e Planeve Operacionale të vitit 2018”. Planet Operacionale janë mbështetur në Strategjinë afatgjatë 2017-2021. Në qendër të këtyre planeve, për vitin 2018 do të jetë garantimi i asistencës për përmbushjen vullnetare, zbatimi efikas i legjislacionit tatimor dhe hetimi i rasteve të mashtrimit tatimor, si dhe progresi organizativ i administratës tatimore e rritja e kapaciteteve të saj.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndërveprimit të brendshëm institucional ku drejtoritë do të përfshihen në veprime të përbashkëta sipas afateve të mirëpërcaktuara në drejtim evidentimit të sektorëve me risk, përfshirjen e tyre në plane sektoriale të përmbushjes vullnetare, kontrolleve me qëllim korrigjimin e sjelljes deviante të tatimpaguesve.

Më tej, sa i përket mbledhjes së detyrimeve tatimore në planin operacional të këtij viti, është përcaktuar qartë filozofia e prioritizimit të borxhit tatimor, ndjekjes dhe arkëtimit të tij si dhe forcim i bashkëpunimit me Qendrën e Thirrjeve për informimin në kohë të tatimpaguesve për të parandaluar krijimin e detyrimeve të reja.

Një tjetër çështje e cila do të jetë në fokusin e administratës lidhet me forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të cilët do të përfshihen në programe trajnimesh të vazhdueshme e do të vlerësohen sipas kritereve të qarta të matjes së performancës.