Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve falenderon strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar lidhur me ndalimin e menjëhershëm të dy punonjësve të strukturave të Hetimit Tatimor të dyshuar si të përfshirë në një akt korruptiv gjatë inspektimit në një subjekt në zonën e Levanit-Fier.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dënon me forcë dhe nuk do të tolerojë asnjë akt i cili lidhet me korrupsionin, aktiv apo pasiv, të punonjësve të saj dhe fton cdo biznes dhe qytetar të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm të punonjësve të saj kundrejt tyre
***
Deklarata e Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit finalizon operacionin policor të koduar "Inspektori"
Ndalohen 2 inspektorë tatimorë për korrupsion, dyshohet se morën 7 mije euro ryshfet nga një biznes.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas një pune hetimore 2 mujore të ndjekur me metodat speciale të hetimit, ndaluan shtetasit:
- F. Zh, 35 vjeç, banues në Fier, me detyrë përgjegjës i zyrës, analizës dhe informacionit në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier;
- A. T., 55 vjeç, banues në Fier, me detyrë Inspektor Zbatimi pranë Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Tatimeve Fier.
Ndalimi i tyre u bë pasi duke qenë me detyrë Inspektor Tatimor, i kanë kërkuar dhe marrë 7 mijë euro ryshfet një subjekti tregtar me qëllim shmangien e sanksioneve tatimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Korrupsion pasiv" e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal.