Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim mbi ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”

Në kuadër të paketës së re fiskale, me ligjin nr.105/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar është shtuar gërma g) në nenin 18 “Përjashtimet” të ligjit, ku përfshihen strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”. Përjashtimi nga Tatim Fitimi për këtë kategori, do të aplikohet për një periudhë 10 vjeçare dhe efektet e përjashtimit fillojnë nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit, me kushtin që ata t’a kenë përfituar statusin special deri në Dhjetor të vitit 2024.

Me qëllim zhvillimin dhe stimulimin e personave juridikë që ushtrojnë aktivitete në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, tatimi mbi fitimin bëhet 5 %, ndryshim ligjor ky i pasqyruar në pikën 2 të nenit 28 “Shkalla tatimore” të këtij ligji.

Gjithashtu, në këtë ligj në nenin 38 të tij, është shtuar pika 7, ku përcaktohet se "të ardhurat e organizatorëve të lojërave të fatit tatohen me tarifën tatimore mbi të ardhurat bruto, sipas kuptimit dhe përcaktimit në ligjet respektive të fushës".  

Ligji nr.105/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar është botuar në fletoren zyrtare nr. 222 dhe hyn në fuqi me datë 1 janar 2018. Ju mund të konsultoni ligjin e plotë në linkun Tatimi mbi të ardhurat