Në kuadër të paketës së re fiskale, me ligjin nr.106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, është përcaktuar kuptimi i termit “Pasuri të paluajtshme” si dhe “Kadastra Fiskale” (neni 3 e ligjit), për të cilën është parashikuar krijimi i një institucioni të ri buxhetor, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në varësi të Ministrit përgjegjës për financat.
Në këtë ligj përcaktohet se taksapaguesit në nivel vendor, ankimojnë kundër vendimit apo veprimit të zyrës së taksave në strukturën vendore të apelimit tatimor dhe kundër vendimit të kësaj strukture në gjykatë.
Gjithashtu, jepen kategoritë, shkalla e taksës, menyra e llogaritjes dhe detyrimi për pagesën e taksës mbi ndërtesat si dhe kategoritë e përjashtimeve nga taksa mbi ndërtesat.
Duke qenë se do krijohet një institucion buxhetor “Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë” jepen edhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të Taksës së Pasurisë si dhe Përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Po kështu në funksion të stimulimit të sektorit të turizmit, në ndryshimet të këtij ligji janë parashikuar edhe lehtesira në taksën e investimit për ndërtimin e strukturave akomuduese “Hotel/Resort me 5 yje, status special”, sipas përcaktimit në ligj.
Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare nr.222, datë 19.12.2017, dhe hyn në fuqi në datën 01.04.2018, me përjashtim të dispozitës ligjore mbi lehtësirat në fushën e turizmit (neni 7), i cili hyn në fuqi në 01.01.2018.
Ligjin të plotë mund ta gjeni në linkun: Taksat Vendore