Institucioni

Institucioni > Lajme >

Publikohet Udhëzimi Nr.22, datë 11.12.2017 ”Për disa ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin Nr.6, datë 30.1.2015, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i Ndryshuar

Furnizimi i cigareve, është një nga veprimtaritë që është rregulluar nëpërmjet funksionimit të një skeme të veçantë e parashikuar në Udhëzimin Nr.6, datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Neni 19, pika 4 “Regjimet për sektorë të veçantë”, pika 4.2 “Furnizimi i cigareve”, ku është parashikuar se, pagesa e TVSH-së bëhet në një fazë të vetme nga furnizuesi kryesor (importuesi).

Në udhëzim është sqaruar me hollësi procedura e furnizimit dhe faturimit të të gjitha hallkave që nga furnizuesi kryesor deri te njësia e shitjes me pakicë të cigareve.

Sjellim në vëmendje të të gjithë tatimpaguesve, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte janë të përfshirë në rrjetin e furnizimit të cigareve (furnizuesit kryesorë, distributorët e deri te shitësit me pakicë) se, me Udhëzimin e ri Nr.22, datë 11.12.2017 "Për disa ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin Nr.6, datë 30.1.2015, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, botuar në Fletoren Zyrtare nr.220, datë 15.10.2017, kanë ndodhur këto ndryshime në skemën e furnizimit të cigareve:

  • Në krahasim me udhëzimin e mëparshëm, ngarkohen të gjitha hallkat e rrjetit të furnizimit të cigareve për të deklaruar inventarin gjendje (stoku) brenda 5(pesë) ditëve punë nga aplikimi i çmimit të ri, me qëllim llogaritjen dhe pagesën e TVSH-së sipas çmimit të ri;
  • Furnizuesi kryesor (importuesi apo prodhuesi), llogarit stokun e cigareve gjendje të tatimpaguesit që i nënshtrohen regjimit për bizneset e vogla (njësitë e shitjes me pakicë pa TVSH), bazuar në sasitë e shitura prej tij gjatë 90 ditëve të fundit para aplikimit të çmimit të ri, në bazë të të cilave llogarit shitjet mesatare ditore;
  • Për rastet kur një markë cigaresh ka më pak se 90 ditë që furnizohet në treg, atëherë për llogaritjen e shitjes mesatare ditore merren ditët faktike nga dita e parë e furnizimit të kësaj marke cigareje;
  • Furnizuesi kryesor është përgjegjës për TVSH-në shtesë për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë, për stokun gjendje të shitësit me pakicë, tatimpagues të biznesit të vogël, që nuk janë të regjistruar në TVSH, duke u bazuar në furnizimin mesatar ditor shumëzuar me 30%;
  • Për sasinë e stokut të llogaritur në këtë mënyrë, furnizuesi kryesor lëshon një faturë për vete dhe llogarit, deklaron dhe paguan TVSH-në për vlerën e rritur nga rritja e çmimit me pakicë;
  • Me paketën e re fiskale, si rezultat i një rritje të taksës së akcizës mbi furnizimin e cigareve, data e aplikimit të çmimit të ri, do të jetë data 01.01.2018. Kjo sjell detyrimin e të gjithë furnizuesve të cigareve (të shumicës e pakicës) që të deklarojnë inventarin gjendje të cigareve të datës 31.12.2017.

Udhëzimin e plotë mund ta gjeni në rubrikën "Legjislacioni"  Tatimi mbi Vlerën e Shtuar