Drejtoritë Rajonale Tatimore në të gjithë vendin vijojnë të zhvillojnë takime të ngushta me kompani dhe biznese të juridiksionit të tyre. Në kuadër të përmirësimit të shërbimit ndaj tyre, si dhe luftës kundër informalitetit, respektivisht Drejtoritë Rajonale Tatimore Elbasan, Fier dhe Vlorë zhvilluan takime me administratorë të kompanive në qytetet Librazhd, Fier dhe Vlorë. Objektivi i këtyre takimeve ishte diskutimi i problematikave që lidhen me zbatimin e aksionit anti informalitetit ecuria e deritanishme për çdo rajon si dhe thirrja për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër informalitetit.
Pjesë e diskutimeve në këto takime ishin edhe shqetësimet konkrete të pjesmarrësve në lidhje me problematikat e hasura në veprimtarinë e përditshme të natyrës ligjore dhe teknike.
Tatimpaguesit vlerësuan pozitivisht iniciativën që administrata tatimore ka ndërmarrë në lidhje me këto takime dhe u shprehën në favor të bashkëpunimit kundër informalitetit dhe evazionit si dhe përshëndetën rolin e veçantë që i është dhënë asistencës dhe shërbimit ndaj tatimpaguesve, si në ambjentet e biznesit ashtu edhe në sportelet e Shërbimit të Tatimpaguesve.