Në kuadër të aksionit Anti Informalitet Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka organizuar ditën e premte një takim me biznese në fushën e ndërtimit. Gjatë takimit u diskutua mbi zbatimin e planit kundër informalitetit si dhe problematikat që duhet të merren në konsideratë nga përfaqësuesit e bizneseve.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në ligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe deklarimin e pagave reale të punonjësve nga ana bizneseve.
Takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit, ku u shkëmbyen mendime dhe u diskutuan disa nga problematikat të cilat shqetësonin bizneset, të tilla si thjeshtimi i procedurave tatimore dhe kriteret kryesore që ndiqen për kontrollet tatimore.
Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan iniciativën që Administrata Tatimore ka ndërmarrë në lidhje me dëgjimin e opinioneve të tyre dhe u shprehën pozitivisht për bashkëpunimin kundër informalitetit dhe evazionit.